KURANI KERIM

 

Kur'ani kerim
KOMENTI I SURES “NURË
Allahu i Lartësuar thotë:
“Ndërsa, ata të cilët shpifin për gra të veta dhe nuk kanë dëshmitar tjetër pos vetes, dëshmimi i çdonjërit prej tyre është: të betohen katër herë në Allahun se e thonë të vërtetën. E pesta (herë e betimit) është: Mallkimi i Allahut qoftë mbi të nëse ai gënjen. E nga ajo (gruaja e shpifur) largohet dënimi, nëse katër herë betohet në Allahun se ai (shpifësi) gënjen. E pesta herë e betimit të jetë që ta goditë hidhërimi i Allahut, atë (gruan) nëse shpifja ka qenë e vërtetë. Dhe sikur të mos ishin dhurata dhe mëshira e Allahut ndaj jush (ju do të mbaronit). Pa dyshim Allahu pranon pendimin, është i gjithëdijshëm.” [Nurë, 6-10]


Shpifja e burrit për gruan e tij bën përjashtim nga gjykimi i shpifjes së përgjithshme, ngase ai obligohet të sjellë katër dëshmitarë, gjë që është një lodhje e madhe për të dhe e pamundshme. Kërkohet që burri të mos e akuzojë gruan e tij përveç se duke qenë i bindur dhe i sigurt, sepse me këtë vihet në pyetje (shpifet) nderi dhe autoriteti i tij si dhe njolloset dinjiteti i fëmijëve të tij. Për këtë arsye, për këtë lloj të shpifjes është bërë një gjykim i veçantë, e që është të mallkuarit e gruas së tij (mula’anetu) duke e sjellë atë para gjykatësit me paraqitjen e akuzave të tij kundër saj për bërjen zina (imoralitet). Gjykatësi kërkon prej tij të betohet katër herë duke dëshmuar në Allahun, si zëvendësim të katër dëshmitarëve, se ai po e thotë të vërtetën, “e pesta (herë e betimit) është: Mallkimi i Allahut qoftë mbi të nëse ai gënjen”.
Nëse ai e bën këtë, atëherë mbi të zbatohen dispozitat vijuese:
1. Gruaja ndahet përgjithmonë prej tij me rastin e aktit të mallkimit, ky mendim është sipas Shafiut dhe të një grupi të madh të dijetarëve.
2. Ajo grua bëhet haram (e ndaluar) për të përgjithmonë.
3. Ia jep asaj mehrin e saj.
4. Ekzekutohet mbi gruan dënimi për zina dhe nuk i evitohet dënimi, përveç nëse mallkon duke dëshmuar në Allahun katër herë se ai (burri) po gënjen në atë që akuzon dhe “e pesta herë e betimit të jetë që ta goditë hidhërimi i Allahut, atë (gruan) nëse shpifja ka qenë e vërtetë. Dhe për këtë thotë: “E nga ajo (gruaja e shpifur) largohet dënimi” do të thotë ekzekutimi “nëse katër herë betohet në Allahun se ai (shpifësi) gënjen, e pesta herë e betimit të jetë që ta goditë hidhërimi i Allahut, atë (gruan) nëse shpifja ka qenë e vërtetë.”
5. Fëmija i saj, nëse është shtatzënë, nuk i atribuohet burrit, por gruas. D.m.th nuk i jepet origjina e burrit, por i jepet origjina e gruas.
6. Nuk akuzohet (shpifet) fëmija. Kush e bën një gjë të tillë dënohet për shpifje me tetëdhjetë goditje shkopi.
Pas kësaj Allahu përmend mëshirën dhe mirësinë e Tij ndaj krijesave të Tij në këtë duke iu ofruar zgjidhje dhe lehtësim në këto situata, në të cilat ai ndjehet keq dhe është i shqetësuar rëndë, ku thotë: “Dhe sikur të mos ishin dhurata dhe mëshira e Allahut ndaj jush (ju do të mbarojshit).” Do të thotë: do të mbarojshit, do të vuanit shumë dhe do të ishte shumë vështirë për ju në shumë çështje të juaja.
“Pa dyshim Allahu pranon pendimin” e robërve të Tij, edhe nëse bëhet pas betimit dhe dëshmimit të rëndë.
“Është i gjithëdijshëm e i urtë” në atë që vendos dhe cakton, në atë që urdhëron dhe ndalon.
Kanë ardhur edhe shumë hadithe që obligojnë veprimin sipas këtij ajeti dhe përmendin edhe shkakun e zbritjes së tij dhe për kë nga sahabët ka zbritur.
Shënon Ahmedi hadithin që transmetohet nga Ibën Abbasi, i cili ka thënë: Pasi zbriti “Edhe ata të cilët bëjnë shpifje për gratë e ndershme...” ajeti i mëhershëm, Sa’d bin Ubade r.a. që ishte udhëheqës i ensarëve, tha: A kështu ka zbritur o i Dërguar i Allahut? I Dërguari i Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “O ju ensarë, a po dëgjoni çfarë thotë udhëheqësi juaj?” Ata thanë: O i Dërguar i Allahut, mos e fajëso atë, sepse ai është njeri xheloz. Për Zotin, ai nuk ka martuar ndonjë grua përveç se të virgjër (beqaresh), dhe nuk ka shkurorëzuar ndonjë grua të tij e që nga xhelozia e tij ndonjëri prej nesh ka hezituar ta martojë atë (grua). Sa’di tha: Për Zotin, o i Dërguar i Allahut, unë e di se ajo është e vërtetë dhe është prej Allahut, por unë jam habitur, se po ta gjeja Luka’an (emër gruaje) që është ulur mes kofshëve të saj një njeri e të mos e nguci apo të mos e lëvizi (pengoj), por të shkoj e t’i kërkoj katër dëshmitarë. Për Zotin, nuk do t’i sillja ata katër dëshmitarë, që derisa t’i sillja ata persona ai ta kryejë punën e tij, por do ta godisja me shpatë. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Po çuditeni me xhelozinë e Sa’dit, unë jam më xheloz se Sa’di, e Allahu është më xheloz se unë!” – thotë nuk qëndruan edhe shumë – derisa erdhi Hilal bin Umejje, sikur që ceket në shënimin e Buhariut nga transmetimi i Ibën Abbasit, i cili erdhi duke e akuzuar gruan e tij Havlete te Pejgamberi alejhi selam se ka bërë zina me Shurejk bin Sehmaë. I Dërguari i Allahut tha: Sill argumente ose bëhet ekzekutimi (i dënimit për shpifje) në shpinën tënde! Ai tha: O i Dërguar i Allahut, nëse ndonjëri prej nesh sheh mbi gruan e tij ndonjë person, ai duhet të vrapojë duke kërkuar fakte?! Pejgamberi alejhi selam vazhdonte duke i thënë: Sill argumente ose bëhet ekzekutimi (i dënimit për shpifje) në shpinën tënde! Hilali tha: Pasha Atë që të ka dërguar me të vërtetën, unë jam duke e thënë të vërtetën dhe Allahu do të zbresë fakte që të më pastrojë shpinën time nga dënimi. Zbriti Xhibrili me shpallje: “Ndërsa, ata të cilët shpifin për gra të veta” dhe e lexoi deri “nëse shpifja ka qenë e vërtetë.” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem veproi menjëherë dhe dërgoi dikë që t’i thërrasë ata dy. Erdhi Hilali dhe dëshmoi, Pejgamberi alejhi selam thoshte: Allahu e di se njëri prej juve dyve është gënjeshtar, apo pendohet njëri prej jush? Pastaj është ngritur Havlete dhe dëshmoi, kur erdhi te e pesta, e ndalën dhe i thanë: Kjo është obliguese dhe përgjigjet në këtë. Ibën Abbasi thotë: Ajo u hamend dhe u zmbraps sa ne menduam se do të tërhiqej prapa, por tha (ajo gruaja) nuk do ta turpëroj popullin tim tërë ditën dhe e vazhdoi betimin. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: Përcilleni atë, nëse vjen me fëmijë që i ka sytë e zi, me pjesën e pasme të trupit të plotë e të gjërë, me këmbë të shëndosha, atëherë ai fëmijë i takon Shurejk bin Sehmaut. Ajo e lindi fëmijën me ato cilësi dhe Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: Po të mos ishte ajo (çështja e përfunduar) që ka ardhur nga Libri i Allahut, mes meje dhe asaj do të kishte problem.
Ahmedi shënon: Transmetohet nga Abdullahu, i cili ka thënë: Ishim ulur në mbrëmjen e së premtes në xhami, një njeri prej ensarëve tha: Nëse ndonjëri prej nesh e sheh dikë me gruan e vet, nëse e vret atë (personin) ju do ta vritnit atë (burrin), nëse flet ju do rrihnit atë, e nëse hesht do të heshte i zemëruar dhe i çmendur nga inati. Pasha Allahun, nëse gdhihem shëndosh në mëngjes do të shkoj ta pyes të Dërguarin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Thotë: E pyeti atë duke thënë: O i Dërguar i Allahut, nëse ndonjëri prej nesh e sheh dikë me gruan e vet dhe e vret atë (personin) ju do ta vritnit atë (burrin), nëse flet ju do rrihnit atë, e nëse hesht do të heshte i zemëruar dhe i çmendur nga inati! O Allahu im, gjyko! Thotë: Zbriti ajeti i mallkimit (lian), dhe ky person ishte i pari që u sprovua me këtë. Këtë hadith e shënon Muslimi vetëm.
DRITA E KUR’ANIT
Allahu xh.sh. e krijoi njeriun në formën më të bukur dhe ia dhuroi mendjen, arsyen e logjikën, dhe me këto cilësi është dalluar prej gjallesave tjera në të gjitha aktivitetet jetësore.
Mirëpo, me aftësinë e tij mendore, njeriu nuk mund të arrijë përsosmërinë e tij në pikëpamje të botëkuptimit dhe do të ishte i humbur po të mos ishte udhëzues i tij Shpallja nga ana e   Allahut xh.sh.

Zoti i Plotfuqishëm, pasi që e krijoi njeriun, jo vetëm që ia plotësoi të gjitha kushtet e nevojshme jetësore në këtë botë, por edhe ia ndriqoi rrugën e shpëtimit për botën tjetër, ia dërgoi Shpalljen-Fenë Islame.
Pra, prej krijimit të njeriut të parë, Ademit a.s., që njëherit është edhe i obliguari i parë i   Allahut, e shpalli këtë fe dedikuar njerëzimit duke e përsëritur me dërgimin e pejgamberëve të shumtë deri para 14 shekujve, kur e vulosi pejgamberinë me të Dërguarin e Fundit - Muhammedin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.
Muhammedi a.s. ishte i zgjedhur nga populli arab, të cilit iu shpall Kur’ani si shpallje e fundit dhe të cilin Allahu xh.sh. e zgjodhi ligj universal.
Kur’ani është libër hyjnor dhe mrekulllia kryesore e Muhammedit a.s. Fjala e Kur’anit është të folurit e mrekullueshëm të Allahut xh.sh., i shpallur të dërguarit të Tij - Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i përmbledhur në një koleksion të quajtur “MUS-HAF”, i përcjellur te ne në mënyrën më të saktë (tevaturen), dhe leximi i tij është adhurim (ibadet), dedikuar njerëzisë pa marrë parasysh racën, kombin, gjuhën, vendbanimin, për të gjitha kohërat derisa të ekzistojë kjo botë. Në Kur’an përshkruhen ngjarje nga e kaluara, tregohet për pejgamberët dhe popujt e mëparshëm, përshkruhen ngjarje edhe për të ardhmen që do të ndodhin si: kataklizma (kijameti), ringjallja, xheneti, xhehenemi etj.
Allahu xh.sh. ia shpalli Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem Kur’anin me ndërmjetësimin e melekut fisnik - Xhibrilit, me qëllim që t’i nxjerrë njerëzit nga errësira në dritë. Këtë na e sqaron edhe ajeti kur’anor ku thuhet:
“Elif, Lamë, Ra. (ky është) Libër; Ne ta shpallëm ty që me urdhërin e Zotit t’i nxjerrësh njerëzit prej errësirave në dritë; (t’i nxjerrësh prej errësire) në rrugë të Fuqiplotit, të Falënderuarit.” [Ibrahim, 1]


Që t’ua   bëjë me dije se rruga, të cilën ata ndiqnin (politeizmi) është rrugë e gabuar dhe e të humburve, të cilës i paraprijnë mësimet e errëta të djallit të mallkuar. Dhe ua   tërhoqi vërejtjen se rruga që duhet pasuar është rruga që mëson Muhammedi a.s. sipas udhëzimeve dhe mësimeve të Kur’anit - Fesë Islame. Që të largohen prej errësirës e të dalin në dritë, të besojnë vetëm Një Zot, Allahun xh.sh. e të largohen prej besimit në shumë zotëra.
Qëllimi i Allahut xh.sh. me shpalljen e Kur’anit nuk është që i ka nevojitur Atij, por atë e ka bërë nga mëshira e Vet në të mirë të njerëzimit. Siç e përmendëm më lartë, Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ishte i zgjedhur nga mesi i popullit arab dhe ishte i caktuar që ai ta kryejë misionin e Shpalljes së Fundit, ai para pejgamberisë së tij as që kishte shpresuar se do të jetë i caktuar për një mision të tillë, ngase që në shpalljet e mëparshme ishte paralajmëruar ardhja e një pejgamberi nga mesi i popullit arab. Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke qenë   njeri i varfër dhe bonjak nuk shpresonte se mu ai do të jetë i paralajmëruari në shpalljet e mëparshme. Allahu xhel-le shanuhu e zgjodhi këtë dhe e pajisi me virtyte e cilësi të larta. Në Kur’an thuhet:
“Ti as nuk ke shpresuar se do të shpallet ty libri, por kjo është mëshirë e Zotit tënd, andaj ti kurrsesi të mos jesh ndihmëtar i jobesimtarëve.” [Kasas, 86]


Pra, zgjedhja e Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe shpallja e Kur’anit   janë bërë nga mëshira e gjerë e Allahut xh.sh.:
“E Ne   të dërguam ty (Muhammed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat.” [Enbija, 107]


Kush beson dhe e konfirmon jetën e vet sipas parimeve të Kur’anit, ai do të jetë i shpëtuar dhe do të shpërblehet me xhenet. Ndërsa, ata, të cilët nuk pranojnë Kur’anin dhe e kundërshtojnë atë, e kanë për vete dhe do të jenë të humbur e të dënuar me xhehenem:
“…Nëse ju, dhe të gjithë ata që janë në tokë mohoni, Allahu është i panevojshëm (për falënderim), i lavdishëm (vetvetiu).” [Ibrahim, 8]


Kur’ani buron nga Allahu azze ve xhel-le, është udhërrëfyes e udhëzues për ata, të cilët e besojnë dhe i kanë dronë Allahut. Shpallja e Kur’anit ka zgjatur 23 vjet, 13 vjet në Mekë, 10 vjet tjera në Medinë. Gjatë kësaj periudhe ka zbritur pjesë-pjesë, varësisht prej nevojës - shkakut të zbritjes. Për mënyrën e zbritjes na tregon ajeti kur’anor:
“Nuk ka asnjë njeri që t’i ketë folur Allahu ndryshe, vetëm se me anën e frymëzimit, ose pas ndonjë perdeje, ose t’i dërgojë (melek), e ai t’i shpallë me lejen e Tij atë që do Ai. Vërtet, Ai është më i larti, më i urti.” [Shura, 51]


Sipas këtij ajeti, mënyrat e shpalljes te të gjithë pejgamberët kanë qenë tre:
        -mënyra e inspirimit (frymëzimit),
        -të folurit e drejtëpërdrejtë të Allahut xh.sh. (pas perdes),
        -nëpërmjet melekut të shpalljes, Xhibrilit.


Po në këto mënyra i ka zbritur edhe shpallja e Kur’anit Muhammedit a.s..
---Forma e parë, “inspirimi” bëhej duke qenë Muhammedi a.s. zgjuar apo në gjumë dhe       Allahu xh.sh. i shpallte në zemrën e tij atë që dëshironte dhe Muhammedi a.s. e mbante në mend në mënyrë origjinale dhe të përpiktë ashtu si i shpallej.
Sipas hadithit më poshtë që e transmeton Aishja r.a., kjo është mënyra më e vështirë për pranimin e shpalljes (në formë të tingujve të ziles):
Transmetohet prej Aishes, nënës së muslimanëve, kënaqësia e Zotit qoftë ndaj saj, që ka thënë se Harith bin Hishami e pyeti Pejgamberin a.s. se si i vjen shpallja, ndërsa ai qe përgjigjur:   “Disa herë   më vijnë mua (disa si zëra) si tingujt e ziles (kur Muhammedi a.s. dëgjonte një zë që u përngjante tingujve të ziles,   atëherë e kuptonte se po i vinte shpallja) dhe kjo është e vështirë për mua, e më ndërpritet pasi t’i kem kushtuar kujdes se ç’më tha. Herë të tjera më personifikohet mua Xhibrili si njeri, më flet dhe i kushtoj kujdes se ç’më thotë.”
Siç transmeton Aishja r.a., e cila thotë:” Se e ka parë të dërguarin duke i zbritur atij shpallja në ditët e ftohta të dimrit dhe kur i ndërpritej (shpallja) vetullat e tij ishin të mbytura në djersë.”


---Forma e dytë, “të folurit e drejtëpërdrejtë të Allahut xh.sh.” është bërë në atë mënyrë ku Allahu i ka folur Muhammedit a.s. në mënyrë direkte pa ndërmjetësimin e melekut, Xhibrilit a.s., (pas perdes). Muhamedi a.s. dëgjonte fjalët e Allahut xh.sh. me tërë qenien e tij. Në këtë mënyrë i foli natën e Miraxhit kur Muhammedi a.s. udhëtoi në qiej.


---Forma e tretë, “përmes melekut” është mënyra me të cilën u shpall pjesa më e madhe e ajeteve kur’anore, duke pranuar Xhibrili nga Allahu ajetet që duhej   t’i shpalleshin Muhammedit a.s. dhe ia zbriste atij. Mirëpo, edhe kjo bëhej në dy mënyra.
Nganjëherë Xhibrili i paraqitej Muhammedit a.s. në formën e vet flurore, e nganjëherë personifikohej në formën e njeriut me lejen e Allahut xh.sh., e më së shumti në formën e një shoku të Muhammedit a.s. të quajtur Dihjetul Kelbi, e këtë e sqaron hadithi i lartpërmendur:
“…Herë të tjera më personifikohet mua Xhibrili si njeri, më flet dhe i kushtoj kujdes se ç’më thotë.”
Ndërsa, për zbritjen e shpalljes përmes Xhibrilit na tregon edhe ajeti kur’anor:
“Thuaj: ”Atë (Kur’anin) e solli “Ruhul Kudus” -shpirti i shenjtë-   plot vërtetësi nga Zoti yt, për t’i përforcuar edhe më ata që besuan, dhe për të   qenë udhërrëfyes e myzhde për muslimanët.” [Nahl, 102]


Shpallja e Kur’anit ndikon shumë në përforcimin e besimtarëve në besim dhe qëndrim të paluhatshëm në Fenë Islame duke i përgëzuar gjithëherë me shpërblime të shumta për veprat e tyre:
“Ne të shpallëm Kur’anin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, kurse jobesimtarëve nuk u shton tjetër përpos dëshprim.” [Israë, 82]


Allahu xh.sh. zbriste pjesë të ndryshme nga Kur’ani për t’iu shpjeguar njerëzve gjëra dhe probleme të ndryshme, por e zbriste edhe si bari shërues nga sëmundjet e mosbesimit, politeizmit, hipokrizisë, etj. Dhe është mëshirë për besimtarët që të mos shkojnë në gabime që çojnë në humbje dhe humnerë. E në anën tjetër, jobesimtarëve, hipokritëve dhe politeistëve vetëm u shtohej zilia dhe dëshprimi duke parë se Islami po triumfon gjithnjë e më shumë dhe ata nuk ishin në gjendje që ta pengonin fare. Për besimtarët e vërtetë Kur’ani është ligj i caktuar nga Allahu xh.sh., të cilit i përmbahen dhe e konfirmojnë jetën e tyre me parimet e tij, është udhëzues i tyre dhe përgëzues për shpërblimet që do t’i kenë nga Allahu xh.sh.. Dhe më në fund për Kur’anin Allahu xh.sh. ua tërheqë vëmendjen duke thënë :
“…Erdhi e vërteta e u zhduk e kota. Vërtet, e kota gjithnjë ka qenë e zhdukur.” [Israë, 81

www.xhamia-miresia.com Allahu ju shperblefte per vizitat e juaja